Ballina > Aktualitet > Ngrihen kapacitetet e FSK-së: Policia Ushtarake trajnohet nga instruktorët kroatë për kontroll të turmave dhe luftime CQB

Ngrihen kapacitetet e FSK-së: Policia Ushtarake trajnohet nga instruktorët kroatë për kontroll të turmave dhe luftime CQB

18 May 2026 Aktualitet

Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve të saj profesionale dhe operacionale, përmes një bashkëpunimi të ngushtë me Policinë Ushtarake të Kroacisë. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili njoftoi se përgjatë javës së kaluar është realizuar për herë të parë Kursi për Intervenime dhe Kontrollim të Turmave.

Ky trajnim intensiv, i udhëhequr nga instruktorë të specializuar kroatë, ka integruar modulet më moderne të ndërhyrjes, ku përfshihen operacionet e shpejta, menaxhimi i masave dhe luftimet në hapësira të mbyllura, të njohura si CQB (Close Quarters Battle). Përmes këtij programi, pjesëtarët e Policisë Ushtarake kanë zhvilluar aftësi të avancuara taktike, duke dëshmuar disiplinë, profesionalizëm dhe një nivel të lartë gatishmërie operacionale.

Ministri Maqedonci ka vlerësuar lart angazhimin e trupave tona, duke theksuar se ky bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë është një dëshmi e qartë e transformimit të vazhdueshëm të Policisë Ushtarake. Sipas tij, ky proces po e rrit këtë strukturë në një njësi moderne, të përgatitur plotësisht për t’u përballur me të gjitha sfidat bashkëkohore të sigurisë.

Lini një përgjigje