Nga Kosova në AC Milan, një histori krenarie që po frymëzon futbollin kosovar!
16 talentë të rinj nga Kosova kanë përjetuar një eksperiencë të jashtëzakonshme në akademinë prestigjioze “Milan Experience” në Puma House Vismara në Milano, duke jetuar nga afër ëndrrën e madhe kuqezi.
Kjo akademi po organizohet për herë të parë në Vismara Milano për talentët nga Kosova, pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati edicioni i vitit të kaluar në Prishtinë. Sipas menaxhmentit të AC Milan, organizimi në Kosovë u vlerësua ndër më të mirët në botë në kuadër të projekteve të akademisë së Milanit — një arritje e madhe për futbollin dhe talentin kosovar.
Gjatë qëndrimit në Milano, futbollistët e rinj zhvilluan stërvitje profesionale me trajnerët e klubit legjendar italian, ndërsa luajtën edhe ndeshje miqësore me ekipe elitare nën ombrellën e AC Milan.
Në kuadër të akademisë janë zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore “Friendly Matches” mes talentëve kosovarë në dy grupmoshat U11 dhe U15 ndaj ekipeve A.S.D. Macallesi dhe A.S.D. Lombardia Uno. Në të dyja përballjet, talentët nga Kosova patën performancë të jashtëzakonshme, duke treguar cilësi, disiplinë dhe potencial të madh në fushën e lojës.
Një nga momentet më emocionuese ishte vizita në Casa Milan, ku talentët kosovarë u takuan nga afër me legjendat e futbollit botëror Zlatan Ibrahimovic dhe Daniele Massaro.
Përjetim unik ishte edhe vizita në stadiumin legjendar San Siro, aty ku janë shkruar faqet më të mëdha të historisë së futbollit europian.
Në përmbyllje të kësaj aventure të paharrueshme, talentët nga Kosova morën vlerësime të larta për performancën dhe disiplinën e tyre, si dhe u pajisën me çertifikata speciale të firmosura nga superylli kroat Luka Modric.
Inklik Media ka qenë media e akredituar për të përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet e kësaj akademie në Milano dhe shumë shpejt do të sjellë materiale ekskluzive, intervista, momente emocionuese dhe pamje unike nga kjo eksperiencë e jashtëzakonshme.
Një rrugëtim që dëshmon se talenti kosovar po fiton respekt ndërkombëtar dhe se ëndrrat e mëdha tashmë po marrin formë në skenën europiane të futbollit.




