Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka njoftuar për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Bashkësinë Islame, për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit.
“Xhamia e Ibrit, e ndërtuar në vitin 1777 dhe e djegur më 2 maj 1999, do të rindërtohet. Sot, së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj. Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti po ashtu ka bërë të ditur për një tjetër memorandum bashkëpunimi me BIK-un, me synim “forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame”.
“Këto angazhime janë pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999. Investimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim”, ka shkruar Kurti.




