Ballina > Aktualitet > Nënshkruajnë marrëveshje Sami Lushtaku dhe Fitore Pacolli për financimin e programeve të banimit në Skenderaj

Nënshkruajnë marrëveshje Sami Lushtaku dhe Fitore Pacolli për financimin e programeve të banimit në Skenderaj

24 Aug 2026 Aktualitet

Një projekt me vlerë 4.4 milionë euro për banim social  është nënshkruar në mes kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, për bashkëfinancimin e ndërtimit të Objektit Ç në kompleksin UÇK.

Lushtaku përmes një postimi në “Facebook”, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për financimin e programeve të banimit, përmes së cilës do të bashkëfinancohet ndërtimi i Objektit Ç në kuadër të kompleksit UÇK.

Sipas Lushtakut, vlera e projektit është 4.4 milionë euro, ndërsa financimi bëhet përmes kredisë së Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës.

Marrëveshja është nënshkruar me ministren e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.

Lushtaku ka bërë të ditur se projekti është pjesë e programit për Banimin Social Adekuat dhe se do t’u dedikohet me prioritet familjeve të dëshmorëve të Komunës së Skenderajt.

“Ky projekt është i dedikuar me prioritet për familjet e dëshmorëve të Komunës së Skenderajt, si një obligim institucional dhe moral ndaj familjeve që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka paralajmëruar se synim mbetet edhe realizimi i Objektit K, me të cilin, sipas tij, do të kompletohej tërësisht kompleksi UÇK në Skenderaj.

Lini një përgjigje