Një zhvillim i rëndësishëm për sportin dhe barazinë gjinore është shënuar në Pejë, ku është themeluar klubi i parë i futbollit për vajza, KFV Peja. Ky projekt po mbështetet nga KFV Prishtina, duke shënuar një hap konkret drejt krijimit të mundësive të barabarta për vajzat në sport.
Themelimi i klubit është realizuar në bashkëpunim me Komuna e Pejës dhe me përkrahjen e Federatës së Futbollit të Kosovës, duke krijuar për herë të parë një strukturë të organizuar ku vajzat nga të gjitha komunitetet mund të stërviten, garojnë dhe të zhvillohen në mënyrë profesionale në futboll.
Në thelb të këtij projekti janë tri mësuese të edukimit fizik: Bernardina Mirdita, Albulena Arifaj dhe Blerina Cena Begolli, të cilat do të udhëheqin klubin dhe zhvillimin e tij në terren. Me përvojën e saj si ish-futbolliste, Bernardina Mirdita do të ketë rol kyç në menaxhimin e klubit, duke sjellë eksperiencë, lidership dhe një lidhje të drejtpërdrejtë me lojën.
Përmes mentorimit dhe mbështetjes nga KFV Prishtina, KFV Peja do të zbatojë një metodologji të dëshmuar zhvillimi, e cila përfshin trajnim cilësor dhe zhvillim afatgjatë të lojtareve, edukim përmes sportit dhe aftësive jetësore, si dhe krijimin e një ambienti të sigurt, gjithëpërfshirës dhe fuqizues për vajzat.
Kjo iniciativë është në përputhje edhe me parimet e UEFA Foundation for Children, duke garantuar që çdo vajzë, pa dallim, të ketë të drejtën dhe mundësinë për t’u bërë pjesë e futbollit.





