Ballina > Kronikë > Ndahet nga jeta Dr. Fadil Kurmehaj, infektologu i parë dhe ish-shefi i Repartit në Spitalin e Pejës

Ndahet nga jeta Dr. Fadil Kurmehaj, infektologu i parë dhe ish-shefi i Repartit në Spitalin e Pejës

18 Jul 2026 Kronikë

Mjekësia kosovare dhe qyteti i Pejës kanë humbur një nga figurat më të shquara dhe kontribuesit e parë të shëndetësisë. Ka ndërruar jetë papritmas në moshën 76-vjeçare Dr. Fadil (Sylë) Kurmehaj, specialisti i parë i sëmundjeve infektive në këtë rajon dhe ish-shefi shumëvjeçar i Repartit të Infektives në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Dr. Kurmehaj do të kujtohet gjatë për profesionalizmin, humanizmin dhe përkushtimin e tij të palodhshëm në shërbim të pacientëve.

Përgjatë dekadave të karrierës së tij, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm në trajtimin e sëmundjeve infektive, por edhe në themelimin dhe zhvillimin infrastrukturor e profesional të këtij shërbimi në spitalin e qytetit.

Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e mortit dhe lamtumira e fundit për të ndjerin do të bëhet sot, më 18 korrik 2026, në varrezat e qytetit në Pejë, në orën 16:00. Nisja e funeralit do të bëhet nga Gasallahonja drejt varrezave.

Dr. Fadil Kurmehaj la pas vetes bashkëshorten Luljetën, djemtë Granitin, Uranin dhe Rronin, vëllanë Agimin, motrat Hetimja e Fatimja, si dhe mbarë familjen e gjerë Kurmehaj, miqtë dhe kolegët e shumtë që e respektuan për punën dhe jetën e tij shembullore.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Dr. Fadil Kurmehajn!

Lini një përgjigje