Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka sqaruar ekskluzivisht për Inklik arsyet pse ka vendosur të mos bëjë ndryshime në përbërjen e drejtorive komunale që udhëhiqen nga kuadro të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Sipas Muhaxherit, vendimi për vazhdimin e bashkëpunimit me të njëjtët drejtorë është marrë pas një vlerësimi të përgjithshëm të punës, përvojës dhe rezultateve të arritura gjatë mandatit të kaluar.
“Vendimi për të vazhduar bashkëpunimin me të njëjtët drejtorë është bazuar në vlerësimin e punës, përvojës dhe rezultateve të arritura gjatë mandatit të kaluar. Bëhet fjalë për një ekip që ka dëshmuar stabilitet institucional dhe përkushtim në realizimin e projekteve prioritare për qytetarët e Pejës,” ka deklaruar Muhaxheri për Inklik.
Ai ka theksuar se qëllimi kryesor i këtij vendimi është ruajtja e vazhdimësisë në punë dhe rritja e efikasitetit në funksion të interesit publik dhe shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ndryshe nga kjo qasje e ndjekur nga LDK, partneri i deritanishëm i koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka aplikuar një standard tjetër në ndarjen e përgjegjësive ekzekutive. Në çdo mandat, PDK ka bërë ndryshime në drejtimin e katër drejtorive që i takojnë kësaj partie, duke sjellë emra të rinj dhe profesionistë në krye të këtyre institucioneve komunale.
Vendimi i kryetarit Muhaxheri për të ruajtur përbërjen ekzistuese të drejtorive nga LDK vjen në një kohë kur në shumë komuna të Kosovës po vërehen rikonfigurime të ekzekutivit lokal.





