Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në takim Drejtorin e Departamentit të Sportit në kuadër të Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Iber Alaj.
Gjatë takimit u diskutua për një sërë çështjesh me rëndësi për zhvillimin e sportit në Pejë, me theks të veçantë në projektet infrastrukturore dhe organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive.
Në fokus të bisedës ishte Qendra Nacionale e Xhudos, një projekt me rëndësi strategjike për qytetin, si dhe procedurat që lidhen me pajisjen me leje për Stadiumin e Qytetit të Pejës. Po ashtu, u trajtua ndërtimi i një fushe sportive në fshatin Raushiq, projekt që synon përfshirjen më të madhe të të rinjve në aktivitete sportive.
Një tjetër pikë kyçe e takimit ishin investimet në palestër sipas standardeve të FIBA-s, duke qenë se Peja do të jetë nikoqire e Kampionatit Evropian të Vajzave në Basketboll në muajin korrik. Përgatitjet infrastrukturore konsiderohen thelbësore për organizimin sa më të suksesshëm të këtij eventi ndërkombëtar.
Bashkëbisedimi u përqendrua në avancimin e sportit në Komunën e Pejës, përmirësimin e kushteve për sportistët dhe krijimin e hapësirave moderne për të rinjtë e qytetit.
Në përfundim, palët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit të projekteve të përbashkëta, me synim rritjen e cilësisë së investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sportit në Pejë.






