Trajneri legjendar i xhudos kosovare, Driton Kuka, ka reaguar përmes rrjeteve sociale me një mesazh të drejtpërdrejtë dhe mjaft aktual, duke kombinuar krenarinë sportive me një thirrje të qartë drejtuar politikës.
Ai publikoi një fotografi simbolike me kampionët olimpikë të Kosovës – sportistët që i kanë sjellë vendit medalje historike dhe krenari ndërkombëtare – duke e shoqëruar me një mbishkrim që ka ngjallur reagime të shumta.
“Për një ditë të mirë…
Kalaveshi me 5 kokrra rrush e krejt që flasin gjuhën e bukur Shqipe!
Qeto janë vlera e jo pozitat e postet në sport, ato vijnë e shkojnë!
Edhe një kërkesë:
Mos na dërgoni në zgjedhje o njerëz se populli o lodh, kuptoni se frustrimi po rritet nëse ndodhin zgjedhjet prapë!”
Përmes këtij postimi, Kuka vuri theksin te vlerat që, sipas tij, e bëjnë Kosovën krenare – suksesi, puna dhe uniteti – duke nënvizuar se postet dhe pozitat janë të përkohshme, ndërsa arritjet sportive mbeten.
Njëkohësisht, ai adresoi edhe zhvillimet aktuale politike, duke shprehur shqetësimin se vendi nuk ka nevojë për një proces tjetër zgjedhor, pasi qytetarët janë të lodhur dhe tensionet po rriten.





