Ballina > Vendi > “Mjaft me izolim!”: U mbajt protesta në Çakorr, kërkohet hapja e menjëhershme e kufirit

“Mjaft me izolim!”: U mbajt protesta në Çakorr, kërkohet hapja e menjëhershme e kufirit

25 Apr 2026 Vendi

Banorë dhe aktivistë nga Peja, Plava dhe Gucia janë bashkuar sot, në një protestë paqësore në piken e Çakorrit. Kërkesa e tyre kryesore mbetet funksionalizimi i rrugës dhe hapja e pikës kufitare që do të lidhte Kosovën me Malin e Zi, duke i dhënë fund izolimit shumëvjeçar të kësaj zone.

Nën sloganin “Mjaft me izolim!”, tubimi nisi rreth orës 12:00 në zonën Kutllovë–Kuçishtë. Në këtë protestë mori pjesë një numër i madh qytetarësh, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë nga të dyja anët e kufirit. Organizimi u udhëhoq nga iniciatorët Muhamet Nikqi, Mehdi Berisha dhe Nedzat Cecunjanin, të cilët bënë thirrje për veprim të menjëhershëm institucional.

Përkundër interesimit të vazhdueshëm dhe rëndësisë së kësaj kërkese, institucionet qendrore kanë zgjedhur heshtjen. Derisa zyrtarë nga Komuna e Pejës dhe qytetarë të shumtë janë prononcuar hapur për këtë çështje, Telegrafi nuk ka pranuar ende asnjë përgjigje zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme apo Ministria e Infrastrukturës.

Gjatë tubimit, protestuesit shprehën shqetësimin se kjo rrugë është jetike për jetën e tyre dhe se nuk mund të mbeten peng i burokracisë në shekullin XXI. Telegrafi ka raportuar në kohë reale gjatë gjithë ditës, që nga mbledhja e parë e protestuesve në Çakorr e deri në shpërndarjen e tyre të qetë pas përfundimit të protestës.

Njëri ndër organizatorët e protestës në Çakorr, Muhamet Nikçi ka thënë se me anë të kësaj proteste po kërkojnë hapjen e pikës kufitare dhe që rruga të bëhet e kalueshme.

“Rëndësia e kësaj proteste është që të hapet një pikë kufitare dhe të bëhet rruga e kalueshme e cila është e ndërtuar para 100 vitesh, në vitin 1925, ndërsa në vitin 1999 është mbyllur. Është krijuar një bllokadë tek këto piramida, sikur një mur i Berlinit. Nëse e kërkoni një muri të Berlinit në shekullin XXI atëherë kjo është tek piramidat… Andaj ne do të vazhdojmë me protesta dhe peticione deri në hapjen e pikës kufitare dhe funksionalizimin e rrugës”, tha ai.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë me protesta dhe peticione deri në hapjen e pikës kufitare dhe funksionalizimin e rrugës.

Lini një përgjigje