Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në Komunën e Pejës është organizuar një ceremoni vlerësimi për mësimdhënësit që kanë përfunduar karrierën e tyre gjatë vitit të fundit.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Naser Gega, ndanë mirënjohje për mësimdhënësit e pensionuar gjatë periudhës 7 mars 2025 – 7 mars 2026. Në kuadër të kësaj ceremonie u ndanë gjithashtu edhe tri mirënjohje post-mortem, në shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin e tyre të çmuar në arsim ndër vite.
Gjatë ceremonisë u shpreh falënderim i veçantë për punën, përkushtimin dhe dashurinë që këta mësimdhënës kanë treguar ndaj nxënësve dhe profesionit fisnik të mësuesit. U theksua se kontributi i tyre ka ndikuar drejtpërdrejt në edukimin dhe formimin e shumë gjeneratave.
Përfaqësuesit komunalë vlerësuan se puna dhe përkushtimi i mësimdhënësve do të mbeten gjithmonë pjesë e rëndësishme e historisë së arsimit në Komunën e Pejës, duke shërbyer si shembull dhe frymëzim për brezat e ardhshëm të arsimtarëve.





