“Kur ligji sundon, Republika fiton”. Me këtë moto është zhvilluar një takim i rëndësishëm në Prokurorinë Themelore të Pejës, në kuadër të reformave që po ndërmerren nën udhëheqjen e Ministres Donika Gërvalla. Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj ka pritur në një vizitë zyrtare zëvendësministrin Vigan Nimoni, i shoqëruar nga ekipi i tij i gjerë.
Në qendër të këtij bashkëbisedimi ishte funksionimi institucional i sistemit prokurorial, si dhe sfidat kryesore që lidhen me garantimin e efikasitetit dhe koordinimit më të mirë në trajtimin e lëndëve gjyqësore.
Arkitektura e re e drejtësisë: Vetingu dhe Byroja e Konfiskimit
Gjatë takimit u vu theksi te reformat e thella ligjore që po shtyhen përpara. Pakoja prej pesë ligjeve bazë, së bashku me funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si dhe procesi i Vetingut, përbëjnë shtyllat kryesore të reformës. Këto masa shihen si “arkitektura kryesore” për forcimin e integritetit dhe konsolidimin e plotë të sistemit të drejtësisë në vend.
“Ky proces mbështetet domosdoshmërisht në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, si element thelbësor për rritjen e efikasitetit dhe forcimin e besimit në sundimin e ligjit,” u tha pas takimit.
Ligji i barabartë për të gjithë
Në përfundim të vizitës, palët rikonfirmuan se fuqia e shtetit nuk matet me fjalë, por me aftësinë për ta bërë ligjin të vlejë njësoj për secilin qytetar. Përfaqësuesit e institucioneve u shprehën të vendosur se aty ku drejtësia vepron pa kompromis, Republika bëhet më e fortë, institucionet më të besueshme dhe liria e qytetarëve më e sigurt.




