Zyrtarë të lartë të Pentagon kanë deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i kundërvihen përpjekjeve të Iranit për ta kthyer Ngushticën e Hormuzit në një pikë të rrezikshme për furnizimin global me naftë. Kjo rrugë detare konsiderohet strategjike, pasi përmes saj kalon rreth 20 për qind e naftës botërore, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se do të vazhdojë përpjekjet për mbylljen e ngushticës, gjë që mund të rrezikojë kalimin e sigurt të tankerëve të naftës dhe të ketë pasoja serioze për çmimet e karburanteve dhe tregjet globale.
Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se qytetarët nuk duhet të shqetësohen për situatën. “Kjo është diçka me të cilën po merremi dhe nuk ka arsye për shqetësim”, tha ai gjatë një konference për media në Pentagon.
Ai theksoi se aktualisht pengesa kryesore për tranzitin në këtë korridor detar janë sulmet iraniane ndaj anijeve. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të lejojnë që ngushtica të mbetet e mbyllur.
Hegseth shtoi se Pentagoni ka disa opsione për situatën në këtë zonë strategjike, por nuk dha detaje se si mund të sigurohet rihapja e plotë e saj. Ai gjithashtu theksoi se forcat amerikane po vazhdojnë sulmet ndaj pozicioneve raketore dhe të dronëve iranianë, si dhe ndaj objektivave të tjera që konsiderohen kërcënim për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit.




