Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe në organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, qyteti i Pejës po e shënon me një varg aktivitetesh madhështore 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit. Festimet kanë nisur zyrtarisht me ngritjen solemne të flamurit të Republikës së Kosovës nën tingujt e himnit shtetëror, ceremoni kjo e udhëhequr nga Komandanti i Stacionit të Policisë në Pejë, Faik Jahmurataj.
Menjëherë pas këtij akti, kryetari Gazmend Muhaxheri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka nderuar kujtimin dhe sakrificën e të gjithë atyre që ranë për lirinë e vendit. Në shenjë respekti të thellë institucional dhe qytetar, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje dhe vendosën kurora me lule pranë monumenteve të dëshmorëve.
Për nder të kësaj dite të veçantë, dyert e Muzeut të Pejës do të qëndrojnë të hapura gjatë gjithë ditës për të gjithë vizitorët që duan të lidhen me historinë e qytetit. Ndërkaq, pasdite pritet të dominohet nga ngjarjet kulturore, duke filluar nga ora 18:00 në Galerinë e Arteve, ku do të hapet ekspozita personale “Singulariteti” e artistit Gëzim Muriqi, nën kurimin e Skender Boshtrakajt.
Kryefjala e festimeve do të jetë manifestimi qendror që do të mbahet në orën 19:00 në sheshin “Skënderbeu”, ku një program i pasur artistik nga Orkestra e Dukagjinit dhe Fakulteti i Arteve i Universitetit “Haxhi Zeka” do t’i falë gjallëri dhe vlera të larta kulturore këtij përvjetori. Në kuadër të këtyre aktiviteteve zyrtare, Komuna e Pejës do të organizojë edhe një ceremoni solemne për ndarjen e titujve të nderit, dekoratave dhe mirënjohjeve, duke vlerësuar kështu institucionalisht kontributin e jashtëzakonshëm të personaliteteve dhe institucioneve në dobi të qytetit.




