Konservimi i biodiversitetit dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm në masivin e Bjeshkëve të Nemuna ka bërë bashkë autoritetet e mbrojtjes së natyrës nga Kosova dhe Mali i Zi. Një delegacion i lartë nga Kosova ka realizuar një vizitë zyrtare në shtetin fqinj për të konkretizuar hapat drejt një bashkëpunimi të mirëfilltë ndërkufitar, sipas një njoftimi zyrtar të bërë nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Delegacioni kosovar, i përbërë nga përfaqësues të Parqeve Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”, si dhe nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, u pritën nga Ndërmarrja Publike për Parqet Kombëtare të Malit të Zi.
Fokusi qendror i këtij takimi ishte fuqizimi i bashkëpunimit mes Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna“ në Kosovë dhe Parkut Kombëtar “Prokletije” në Mal të Zi. Kjo nismë synon integrimin në programin e Federatës Evropiane të Parqeve Ndërkufitare, EUROPARC, një hap që do të vendoste këto zona në hartën e standardeve më të larta evropiane për menaxhimin e mjedisit.
Gjatë diskutimeve bilaterale palët u ndalën në disa pika jetike për të ardhmen e këtij masivi malor siç është harmonizimi i planeve menaxhuese për të pasur një qasje unike në të dy anët e kufirit. Gjithashtu u diskutua për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm që mbron natyrën si dhe menaxhimin efikas të fluksit të vizitorëve dhe të hyrave. Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe shkëmbimit të përvojave teknike për konservimin e florës dhe faunës unike të Alpeve.
Përveç tryezave zyrtare delegacioni nga Kosova vizitoi pjesët më atraktive të Parkut Nacional në territorin e Malit të Zi. Kjo vizitë në terren shërbeu për të parë nga afër modelet e menaxhimit të infrastrukturës turistike dhe mbrojtjen e ekosistemeve që ndajnë të dyja shtetet. Ky bashkëpunim i prezantuar nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës shihet si një moment kthesë për bashkëpunimin rajonal duke dëshmuar se kufijtë politikë nuk duhet të jenë pengesë për mbrojtjen e pasurisë së përbashkët natyrore.






