Ballina > Kronikë > Mbi 570 fëmijë të humbur në Shqipëri përgjatë 5 viteve. Organizatat ngrenë alarmin për sigurinë e të miturve: Rreth 1400 raste shfrytëzimi

Mbi 570 fëmijë të humbur në Shqipëri përgjatë 5 viteve. Organizatat ngrenë alarmin për sigurinë e të miturve: Rreth 1400 raste shfrytëzimi

26 May 2026 Kronikë

Mbi 570 fëmijë janë raportuar të humbur në Shqipëri përgjatë harkut kohor 2020–2024. Lajmi është bërë publik nga drejtoresha e Linjës Kombëtare për fëmijet e humbur, Belioza Çoku pas statistikave të përpunuara nga Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur – ALO 116 000 dhe Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri – ALO 116 111, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur.

Sipas statistikave të përpunuara nga raportimet zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 576 raste fëmijësh të humbur ose të larguar nga banesa, me një mesatare prej rreth 120 rastesh në vit.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2020 janë raportuar 127 raste, në vitin 2021 133 raste, në vitin 2022 98 raste, në vitin 2023 128 raste, ndërsa në vitin 2024 janë regjistruar 90 raste.

Aktualisht, 11 fëmijë vijojnë të mbeten ende të pagjetur prej vitesh, mes tyre edhe raste të njohura si Bleona Mata, Azize Mirlak, Jasmina Jasharaj, Jonuz Luga, Julian Cela, Juliana Hoxha, Mateo Bejaj, Mitat Ibrahimi, Ndue Nikolla, Violeta Nikolla dhe Xhevair Gezdari.

Organizatat theksojnë se çdo rast i raportuar duhet trajtuar me prioritet maksimal dhe reagim të menjëhershëm institucional, përmes bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, strukturave të mbrojtjes së fëmijëve, shkollave dhe shërbimeve sociale.

Në të njëjtën kohë, ALO 116 000 dhe ALO 116 111 ngrejnë shqetësimin edhe për fenomenin e shfrytëzimit të fëmijëve, ku sipas tyre gjatë periudhës 2021–prill 2026 janë raportuar 1,431 raste shfrytëzimi që përfshijnë 1,680 fëmijë.

Sipas të dhënave, 701 janë djem, 612 vajza, ndërsa 367 raste lidhen me fëmijë me gjini të papërcaktuar ose të paidentifikuar në raportime.

Në përfundim, organizatat apelojnë për forcimin e mekanizmave të reagimit të shpejtë dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik, duke theksuar se mbrojtja e fëmijëve kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.

/rtsh.al/

Lini një përgjigje