Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar (Distinguished Visitors Day – DV Day), në kuadër të stërvitjes ndërkombëtare “Combat Power 26”, e mbajtur në Slunj të Kroacisë, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit kroat të Mbrojtjes, Ivan Anusic.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci tha se stërvitja mblodhi mbi 3 mijë ushtarakë nga Kroacia dhe qindra pjesëtarë të forcave të vendeve aleate e partnere, përfshirë Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Slloveninë, Shqipërinë, Portugalinë, Malin e Zi, Rumaninë dhe Gjeorgjinë.
Sipas tij, Kosova u përfaqësua nga një kontingjent prej 45 pjesëtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike.
Maqedonci vlerësoi se ushtarakët e FSK-së treguan profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të lartë gjatë stërvitjes, duke dëshmuar se kanë aftësitë dhe kapacitetet për të vepruar krah për krah me ushtritë aleate dhe partnere.
Ai theksoi gjithashtu se një nga arritjet më të rëndësishme të FSK-së është forcimi i kapaciteteve logjistike, veçanërisht në shërbimet e ushqimit, të cilat tashmë realizohen nga kapacitetet organike të forcës dhe mund të ofrojnë mbështetje edhe për trupat partnere gjatë stërvitjeve të përbashkëta.
Stërvitja “Combat Power 26”, e zhvilluar në poligonin ushtarak të Slunjit, zgjati 11 ditë dhe përfshiu operacione të integruara ajrore dhe tokësore në kushte sfiduese, me qëllim rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përgatitjes së forcave pjesëmarrëse.
Në fund, Maqedonci theksoi se pjesëmarrja në këtë stërvitje dëshmon për avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe riafirmon përkushtimin e vendit për të qenë partner i besueshëm në ruajtjen e sigurisë dhe paqes, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit strategjik dhe miqësor me Kroacinë.





