Ballina > Kuriozitet > Makthi pranveror i Japonisë: Vendimi i para 70 viteve që po u kushton miliarda dollarë dhe po sëmur gjysmën e popullsisë

Makthi pranveror i Japonisë: Vendimi i para 70 viteve që po u kushton miliarda dollarë dhe po sëmur gjysmën e popullsisë

23 May 2026 Kuriozitet

Çdo pranverë në Japoni, miliona njerëz mbushin rrugët të pajisur me maska dhe barna kundër alergjive. Pamjet e qyteteve ku pothuajse gjithkush teshtin, kollitet dhe fshin sytë janë kthyer në një përditshmëri normale për japonezët. Mirëpo, pas kësaj krize të madhe shëndetësore fshihet një vendim politik i marrë më shumë se shtatë dekada më parë. Në fillim të këtij viti, rrjetet sociale u vërshuan nga videot e pyjeve japoneze, mbi të cilat ngriheshin re gjigante pluhuri të verdhë që ngjanin me tymin. Nuk bëhej fjalë për zjarre, por për sasi masive poleni që shpërndaheshin nga plantacionet e kedrit dhe qiparisit japonez.

Sot, rreth 43 për qind e popullsisë në Japoni vuan nga simptoma të rënda ose të moderuara të alergjisë ndaj polenit, e njohur ndryshe si riniti alergjik. Për ta vendosur në perspektivë, kjo shifër në Britaninë e Madhe është rreth 26 për qind, ndërsa në SHBA luhatet mes 12 dhe 18 për qind.

Vendimi i pasluftës që ndryshoi vendin

Rrënjët e këtij problemi nisin menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë periudhës së luftës, për shkak të mungesës së naftës dhe gazit, Japonia përdori masivisht drurin si lëndë djegëse, gjë që çoi në shpyllëzimin radikal të vendit. Zonat malore rreth Tokios, Osakës dhe Kobes mbetën pothuajse plotësisht të zhveshura.

Për të parandaluar erozionin e tokës dhe rrëshqitjet e dheut, shteti nisi një program gjigant të ripyllëzimit. Në vend të pyjeve natyrale, autoritetet përzgjodhën dy lloje pemësh që rriten shumë shpejt: kedrin japonez (i njohur si sugi) dhe qiparisin japonez (hinoki). Qëllimi ishte i thjeshtë: ripërtëritja e shpejtë e pyjeve dhe sigurimi i lëndës drusore për ndërtim. Në atë kohë, askush nuk e parashikoi se pikërisht këto lloje pemësh prodhojnë sasi të jashtëzakonshme poleni të lehtë, i cili transportohet lehtësisht nga era dhe përfundon direkt në qytete. Sot, këto plantacione mbulojnë rreth dhjetë milionë hektarë, që përbën një të pestën e të gjithë sipërfaqes së Japonisë.

Pyjet që prodhojnë sëmundje dhe krize ekonomike

Problemi është përkeqësuar edhe më shumë nga fakti se këto pemë, pasi kalojnë moshën 30-vjeçare, prodhojnë akoma më shumë polen. Duke qenë se shumica e plantacioneve në Japoni e kanë arritur ose kaluar këtë moshë, sasia e polenit rritet nga viti në vit. Për më tepër, sezoni i alergjive po nis gjithnjë e më herët për shkak të ndryshimeve klimatike, ku viti 2025 shënoi nisjen më të hershme të shpërndarjes së polenit që nga fillimi i matjeve.

Pasojat e këtij dështimi mjedisor nuk janë vetëm shëndetësore. Alergjitë po shkaktojnë pagjumësi, rënie të përqendrimit dhe po rrisin rrezikun e astmës te qytetarët. Sipas vlerësimeve, gjatë pikut të sezonit të polenit, Japonia humb rreth 1.6 miliardë dollarë në ditë për shkak të pushimeve mjekësore të punonjësve dhe rënies së përgjithshme të konsumit.

Lini një përgjigje