Legjenda e futbollit anglez, Gary Lineker, ka zbuluar një histori interesante se përse marrëdhënia e tij me Cristiano Ronaldon është “ftohur”. Gjatë podcastit të tij, Lineker tregoi se sulmuesi portugez ka vendosur t’i bëjë “unfollow” në Instagram për një arsye mjaft specifike: debatin se kush është lojtari më i mirë në histori.
“Cristiano nuk më pëlqen shumë”
Në episodin e fundit të “The Rest Is Football”, të cilin e drejton së bashku me Alan Shearer dhe Micah Richards, Lineker shpjegoi situatën me yllin portugez.
“Cristiano nuk më pëlqen edhe aq shumë. Ai më hoqi nga Instagrami (unfollow) sepse unë mendoj se Messi, në tërësi, është futbollist më i mirë,” deklaroi Lineker duke qeshur.
Ky qëndrim i Lineker nuk është befasi, duke pasur parasysh se ai është një ish-sulmues i Barcelonës dhe ka shprehur hapur simpatinë e tij për Messin prej vitesh. Megjithatë, Lineker gjithmonë ka theksuar respektin e tij të madh për karrierën dhe etikën e jashtëzakonshme të punës së Ronaldos.





