Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Lipjan, në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e nëndegëve, ka dalë me një kërkesë zyrtare duke kërkuar dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si një standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2026.
Në komunikatën e lëshuar pas një analize të detajuar të secilës qendër votimi, dega e Lipjanit fillimisht ka falënderuar strukturat, aktivistët dhe qytetarët për mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor demokratik dhe të qetë.
Gjatë shqyrtimit të shifrave, u bë e ditur se LDK-ja në Lipjan ka shënuar një rritje të lehtë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit 2025, duke lëvizur nga 6,338 vota (19.40%) në 6,455 vota (23.60%) në këto zgjedhje të qershorit. Megjithatë, udhëheqësia e degës vlerëson se ky rezultat mbetet larg pritjeve dhe angazhimit të madh në terren.
Sipas Degës së LDK-së në Lipjan, performanca e dobët në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale, por ajo pasqyron gjendjen, organizimin dhe kapacitetin politik të partisë në nivelin qendror. Për këtë arsye, ata kërkojnë që përgjegjësia të shihet në mënyrë të balancuar dhe të nisë një reformim dhe riorganizim i thellë në të gjitha nivelet.
“Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre,” thuhet në qëndrimin e degës.
Dega e Lipjanit ka rikujtuar se mbetet një nga bastionet më të konsoliduara të partisë, duke shënuar fitore në katër palë zgjedhje lokale radhazi – tri prej të cilave pa balotazh dhe pa koalicione – gjë që sipas tyre dëshmon kapacitetin e tyre organizativ. Në mbyllje, kjo degë ka theksuar se vetëm përmes debatit të hapur, llogaridhënies dhe reformave të brendshme, LDK-ja mund të rikthejë besimin për të qenë forcë udhëheqëse në Kosovë.




