Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar me një deklaratë lidhur me mos votimin e Rezolutës e cila u miratua në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke theksuar se drejtësia nuk mund të trajtohet në mënyrë të pjesshme apo selektive.
Sipas LDK-së, Kuvendi ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, duke nënvizuar se rezolutat që adresojnë vetëm pjesë të realitetit rrezikojnë të humbasin legjitimitetin e tyre.
LDK riafirmon mbështetjen e saj të fuqishme për parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës, duke e konsideruar këtë si vlerë themelore të shtetit ligjor dhe orientimit euro-atlantik të vendit.
Megjithatë, partia vlerëson se drejtësia është e pandashme dhe se ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të relativizohet. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kanë kërkuar që Rezoluta të përfshinte qartë obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë edhe vrasjet politike.
“Ky është një borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e ka bërë Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh.
LDK thekson se qëndrimi i saj është aktiv dhe parimor, duke nënvizuar se nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Sipas partisë, kjo qasje nuk synon relativizimin e historisë, por refuzon instrumentalizimin e saj për qëllime politike.
Në përmbyllje, LDK deklaron se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për të gjitha viktimat, procese të drejta dhe të paanshme, si dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, pa e përzgjedhur atë.




