Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në lansimin e Forumit të Biznesit Mbretëri e Bashkuar–Kosovë, një platformë e re që synon forcimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe investuese ndërmjet dy vendeve.
Gjatë aktivitetit, Kusari-Lila vlerësoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm për Kosova, duke theksuar se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e vitit 2021 ka krijuar mundësi të reja për zhvillimin e shkëmbimeve ekonomike.
Ajo tha se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mbetet e fokusuar në krijimin e një klime më konkurruese për bizneset, promovimin e investimeve të huaja, zhvillimin e inovacionit dhe mbështetjen e kompanive vendore për hyrje në tregjet ndërkombëtare.
Sipas saj, Kosova ofron mundësi të favorshme për investitorët e huaj, veçanërisht në sektorët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, prodhimit, energjisë së ripërtëritshme, agrobiznesit dhe industrive kreative.
Ministrja bëri të ditur se eksportet e mallrave të Kosovës drejt Mbretërisë së Bashkuar gjatë vitit 2025 janë rritur për 81 për qind, ndërsa trendi pozitiv ka vazhduar edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Po ashtu, investimet e huaja direkte nga Mbretëria e Bashkuar kanë arritur në 24 milionë euro gjatë vitit 2025, ndërsa në Kosovë aktualisht operojnë 246 kompani me kapital britanik.
Forumi i Biznesit Mbretëri e Bashkuar–Kosovë pritet të shërbejë si një hapësirë për krijimin e partneriteteve të reja, shkëmbimin e ekspertizës dhe identifikimin e mundësive të reja për rritjen e investimeve, eksporteve dhe punësimit.
Kusari-Lila falënderoi Këshillin e Investitorëve Evropianë, drejtorin ekzekutiv Emrush Ujkani, si dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe ambasadorin Jonathan Hargreaves për mbështetjen në themelimin e kësaj platforme ekonomike.





