Me një buxhet prej 1 milion eurosh, Qeveria e Kosovës ka nisur një paketë emergjente për menaxhimin e mbeturinave dhe largimin e deponive ilegale në të gjithë vendin, ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka theksuar se kjo nismë synon përmirësimin e gjendjes në një sektor që, sipas tij, mbetet ndër më problematikët në sistemin institucional të vendit.
“Buxheti 1 milionë euro, parashihet largimi i 500 deponi ilegale të mbeturinave, në anën tjetër rritja e numrit të të punësuarve dhe rritja e kapaciteteve me theks te pajisjet te kompanitë publike që merren me menaxhimin e mbeturinave por edhe mirëmbajtjen e hapësirave publike të gjelbra”, është shprehur ai.
Ai ka njoftuar shpalljen e një pakete emergjente për këtë fushë, e cila synon pastrimin e deponive ilegale dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
“Sot jemi këtu për të shpallur një paketë të emergjencës në fushën e mbeturinave, aksionin kundër mbeturinave. Ky aksion ka për qëllim të arrij dy efekte: të intervenojë në vendet ku hedhja ilegale e mbeturinave rrezikon ambientin dhe shëndetin, por edhe të shtrojë një rrugë të re ku qeveria nuk rri më duarkryq, por është prijëse e organizimit”, ka deklaruar Kurti.
Kurti, ka deklaruar se sektori i menaxhimit të mbeturinave përbën një nga pikat më të ndjeshme të sistemit institucional në vend dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar.
“Sektori i mbeturinave mund të konsiderohet pika më neuragjike e tërë sistemit institucional në vendin tonë. Mbledhja e trajtimi i mbeturinave kërkon harmoni dhe ekuilibër shoqëror e institucional, gjë që nuk është lehtë e arritshme,” ka deklaruar Kurti.





