Kjo javë mund të sjellë zhvillime konkrete në bisedimet me Lidhjen Demokratike për formimin e institucioneve të reja, ka paralajmëruar kryeministri në detyrë Albin Kurti. Me seancën konstituive të Kuvendit të caktuar më 6 gusht, ai ka thënë se partitë duhet të jenë të përgatitura.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka paralajmëruar se gjatë javës që po vjen, mund të ketë diçka konkrete sa i përket një marrëveshjeje me Lidhjen Demokratike.

Sipas kryetarit të Vetëvendosjes, 6 gushti duhet t’i gjejë partitë e përgatitura për formim të institucioneve.
“Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti.
Më 6 gusht është caktuar seanca për inaugurimin e legjislaturës XI.




