Disa pika të karburanteve të INA dhe Petrol në Kroaci kanë vendosur kufizime të përkohshme për furnizimin me derivate, duke lejuar maksimumi 300 litra karburant për një furnizim.
Sipas mediave kroate, në pikat e karburanteve në Zagreb janë vendosur njoftime ku thuhet se masa ka hyrë në fuqi më 24 korrik dhe do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të ri.
“Ju njoftojmë se nga 24 korriku është vendosur kufizim i përkohshëm i shitjes së karburanteve. Sasia maksimale për një furnizim është 300 litra. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin e vendosur në një pikë të INA-s në pjesën perëndimore të Zagrebit.
Një njoftim pothuajse identik është vendosur edhe në një pikë të Petrol në pjesën lindore të Zagrebit, ku theksohet se masa do të mbetet në fuqi deri në revokim.
Sipas raportimeve, kufizimi është vendosur edhe në një pikë të Petrolit në qytetin e Pulës. Kompania nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për arsyet e vendimit dhe nuk dihet ende nëse masa do të zgjerohet edhe në pika të tjera të rrjetit të saj.
Ndryshe nga INA, e cila nuk ka aplikuar më parë kufizime të tilla në historinë e saj të afërt, Petrol ka ndërmarrë masa të ngjashme edhe në Slloveni gjatë muajit mars, pas rritjes së kërkesës për karburante në kohën e tensioneve në Gjirin Arabik. Atëherë kompania kishte sqaruar se kufizimet ishin vendosur për të shmangur panikun dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm, duke mohuar zërat për mungesë të karburanteve.




