Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka pritur sot në një takim të veçantë trajnerët dhe lojtarët e KB Borea U16, të cilët sapo janë kurorëzuar me titullin kampion i Kosovës.
Skuadra pejane vjen pas një edicioni të jashtëzakonshëm, ku dominuan parketin gjatë gjithë sezonit. Suksesi u vulos në ndeshjen finale kundër Kerasanit, ku djemtë e Borea-s triumfuan me rezultatin 84:75, duke e mbyllur serinë finale me një rezultat të pastër 3:0.
Gjatë takimit, kryetari Muhaxheri shprehu admirimin e tij për angazhimin dhe disiplinën e treguar nga basketbollistët e rinj. Ai theksoi se ky titull nuk është vetëm një arritje sportive, por një dëshmi e punës serioze që po bëhet me gjeneratat e reja në qytetin e Pejës.
“Ky sukses është krenari për të gjithë qytetarët tanë. Rezultatet tuaja tregojnë se Peja mbetet vatër e basketbollit dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim talentet që lartësojnë emrin e qytetit tonë,” u shpreh ndër të tjera Muhaxheri.
Në fund të takimit, kryetari dhe sportistët shkëmbyen mesazhe falënderimi, duke premtuar angazhim të mëtutjeshëm për suksese edhe më të mëdha në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare.





