Ballina > Bota > Kryetari i New Yorkut kërkon të shqyrtojë mundësitë ligjore për arrestimin e Netanyahut

Kryetari i New Yorkut kërkon të shqyrtojë mundësitë ligjore për arrestimin e Netanyahut

18 Jul 2026 Bota

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, ka bërë të ditur se po zhvillon diskutime me Departamentin Juridik të qytetit për të shqyrtuar nëse ekzistojnë baza ligjore për arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nëse ai viziton Shtetet e Bashkuara për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.

Në një intervistë për The New York Times, Mamdani tha se beson se Netanyahu duhet të përballet me drejtësinë ndërkombëtare.

“Besoj se kryeministri Netanyahu e ka vendin në Hagë. Ai është një i akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte,” është shprehur Mamdani.

Ai theksoi se çdo veprim i autoriteteve të New Yorkut do të duhej të ishte në përputhje me ligjin.

“Çfarëdo që ligji më lejon të bëj në New York, do ta bëjmë, por nuk do të krijojmë ligje të reja për këtë qëllim”, deklaroi ai.

Megjithatë, realizimi i një skenari të tillë përballet me pengesa të mëdha ligjore. Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në Statutin e Romës dhe nuk e njohin juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC).

Për më tepër, si kryeministër në detyrë që merr pjesë në një aktivitet zyrtar të OKB-së, Netanyahu mund të gëzojë mbrojtje diplomatike sipas ligjit ndërkombëtar, gjë që mund ta bëjë të pamundur arrestimin e tij nga autoritetet lokale.

Megjithatë, deklaratat e Mamdanit pasqyrojnë debatet që po zhvillohen në disa qarqe politike në SHBA lidhur me luftën në Gaza dhe përgjegjësinë për krimet e pretenduara të luftës.

Lini një përgjigje