Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur zyrtarisht rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme, pasi anëtarët e KQZ-së kanë miratuar listat e kandidatëve për të gjitha subjektet politike.
Sipas rezultateve zyrtare të bëra publike, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike në vend dhe do të udhëheqë legjislaturën e re me 53 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të jetë partia e dytë më e madhe me 22 deputetë, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila ka siguruar 18 mandate. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të përfaqësohet në këtë legjislaturë me shtatë deputetë.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se me shpalljen e këtyre rezultateve hapet zyrtarisht edhe afati për ankesa. Të gjithë kandidatët që kanë pretendime apo pakënaqësi kanë të drejtë të dorëzojnë ankesat e tyre në afat prej 48 orësh, duke filluar nga ora 12:00 e ditës së sotme deri në orën 12:00 të së hënës.
Sapo të përfundojë afati i ankesave dhe të shqyrtohen ato, KQZ-ja do të procedojë me certifikimin e rezultateve, duke i hapur rrugë kështu hapave kushtetues për konstituimin e Kuvendit të ri dhe formimin e institucioneve të reja qeverisëse.





