Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e fundit ka miratuar raportin vjetor për vitin 2025. Por, në këtë raport janë edhe disa rekomandime të miratuara, në 11 prej të cilave kërkohet ndërhyrje ligjore.
Në mesin e rekomandimeve të KQZ-së ku kërkohet ndryshim është që të hapet edhe rruga për zgjatjen e afatit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, nga 45 në 60 ditë.
Gjithashtu është kërkuar edhe reduktimi dhe harmonizimi i numrit të votave preferenciale ndërmjet zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe atyre për Kuvendet Komunale.
Ndryshimet e kërkuara:
-Rishikimi i sistemit zgjedhor me qëllim reduktimin dhe harmonizimin e numrit të votave preferenciale ndërmjet zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale;
-Rishikimi i afateve për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave në PZAP dhe Gjykatën Supreme;
-Të hapet rruga për ndryshim për zgjatjen e afatit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme nga 45 në 60 ditë;
-Qartësimi i dispozitave ligjore për votimin me asistencë; dhe
-Ndryshimi i afateve të tërheqjes së dërgesave të pakove me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës, etj.
Në këtë raport, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i përgatit Kuvendit të Kosovës gjenden edhe rekomandimet të cilat KQZ-ja i sheh të përshtatshme që të trajtohen në Kuvend./koha.net/





