Ballina > Aktualitet > Kosova përfiton 44 milionë euro nga BE-ja për mjedisin dhe klimën

Kosova përfiton 44 milionë euro nga BE-ja për mjedisin dhe klimën

09 Jul 2026 Aktualitet

Kosova ka siguruar një mbështetje financiare prej 44 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian për projekte në fushën e mjedisit dhe klimës.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila ka njoftuar se fondet janë pjesë e një pakete më të gjerë financiare prej 206.4 milionë eurosh të ndara nga BE-ja për Kosovën.

Sipas saj, kjo mbështetje përfshin 180.5 milionë euro nga programet IPA për periudhën 2026–2027 dhe 25.9 milionë euro nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Nga kjo pako, pjesa kryesore për mjedisin parasheh investime prej 44 milionë eurosh, të cilat do të orientohen në zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor.

Pacolli ka bërë të ditur se fondet do të mbështesin reforma dhe projekte që lidhen me menaxhimin e mbeturinave, përfshirë Pakon e Madhe të Largimit të Mbeturinave, krijimin e një sistemi të integruar të menaxhimit të mbeturinave, si dhe projekte të bazuara në natyrë për mbrojtjen e shtretërve të lumenjve dhe menaxhimin e rrezikut nga vërshimet.

“Me miratimin e këtyre fondeve, ne po bëjmë një hap të madh për të përmirësuar dhe mbrojtur mjedisin tonë”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen, duke theksuar se këto investime pritet të kontribuojnë në zhvillim më të pastër dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

Lini një përgjigje