Një zhvillim i pazakontë dhe me peshë simbolike ka ndodhur në New Delhi, ku përfaqësues nga Kosova kanë arritur të hyjnë në territorin e Indisë duke përdorur pasaportat e Kosovës, pavarësisht faktit se India nuk e njeh zyrtarisht shtetin kosovar.
Lajmi është bërë i ditur nga Dr. Bernard Tahirbegolli, i cili ka ndarë përvojën e tij nga aeroporti i Delhi-t, duke e cilësuar këtë moment si shumë më tepër se një procedurë udhëtimi.
Sipas tij, nga zyra e Bureau of Immigration e deri te institucionet shtetërore si Ministria e Sportit dhe Agjencia Antidoping e Indisë, për herë të parë është reflektuar një prezencë e qartë e Kosovës me identitet dhe dinjitet institucional.
Ky zhvillim vjen në kuadër të pjesëmarrjes së delegacionit kosovar në konferencën përmbyllëse të World Anti-Doping Agency për Inteligjencë dhe Hetime (I&I), ku morën pjesë përfaqësues nga 51 shtete. Hapjen e konferencës e bënë presidenti i WADA-s, Witold Bańka, dhe Ministri i Rinisë dhe Sportit të Indisë, Mansukh Mandaviya.
Tahirebegolli thekson se kjo përvojë është dëshmi se sporti dhe shkenca shpesh arrijnë aty ku politika ende nuk ka depërtuar. Ai e cilëson këtë si një formë të diplomacisë sportive dhe shkencore, që mund të hapë rrugë të reja bashkëpunimi dhe njohjeje ndërkombëtare.
“Prezenca është hapi i parë drejt njohjes”, ka shkruar ai, duke lënë të kuptohet se ngjarje të tilla, edhe pse simbolike, mund të kenë ndikim më të madh në të ardhmen e raporteve mes vendeve.
Ky rast po konsiderohet si një moment i veçantë për Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se përfaqësimi shtetëror po forcohet edhe përmes sportit, shkencës dhe angazhimit profesional në skenën globale.






