Ballina > Aktualitet > Konjufca nga Bratisllava: Kosova është gati për statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave me BE-në

Konjufca nga Bratisllava: Kosova është gati për statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave me BE-në

12 May 2026 Aktualitet

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë sot në takimin e “Miqve të Ballkanit Perëndimor” të mbajtur në Kalanë e Bratisllavës, me ftesë të kryediplomatit sllovak, Juraj Blanár. Në këtë takim, ku ishte e pranishme edhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, u diskutua gjerësisht për rrugëtimin e rajonit drejt Bashkimit Evropian dhe sfidat e procesit të integrimit.

Gjatë fjalës së tij, Konjufca theksoi se integrimi gradual duhet ta sjellë Kosovën dhe rajonin më afër anëtarësimit të plotë përmes hapave konkretë. Ai vuri në dukje se siguria po shndërrohet në një pjesë qendrore të këtij rrugëtimi, duke nënvizuar se Kosova si anëtare e ardhshme tashmë po jep një kontribut aktiv në këtë drejtim.

Më tej, ministri Konjufca prezantoi argumentet që dëshmojnë progresin e vendit, duke përmendur arritjet e shënuara në të 35 kapitujt e BE-së dhe harmonizimin e plotë me Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian. Ai potencoi faktin se Kosova gëzon mbështetjen më të lartë publike për anëtarësim në BE në të gjithë rajonin, gjë që dëshmon vullnetin e palëkundur të qytetarëve për rrugën euroatlantike.

Në mbyllje të deklaratës së tij, kryediplomati kosovar rikonfirmoi gatishmërinë e plotë të institucioneve për të bërë hapun e radhës, duke thënë se Kosova është plotësisht gati për të marrë statusin e kandidatit dhe për të hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim.

Lini një përgjigje