Ballina > Vendi > Komuna e Pejës dhe Oda Ekonomike e Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e bizneseve

Komuna e Pejës dhe Oda Ekonomike e Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e bizneseve

24 Apr 2026 Vendi

Kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, priti sot në një takim zyrtar Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, z. Lulzim Rafuna, me ç’rast u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit që synon fuqizimin e mjedisit ekonomik në këtë komunë. Në këtë takim, ku morën pjesë edhe nënkryetari Fatmir Asllani, drejtori për Zhvillim Ekonomik, Meriton Fetaj, si dhe përfaqësues të lartë nga OEK, u diskutua gjerësisht mbi nevojën e një koordinimi më të ngushtë institucional për t’u dalë në ndihmë bizneseve lokale.


Ky memorandum ka për qëllim kryesor forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunës dhe sektorit privat, duke synuar krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për investimet dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve pejane. Përmes kësaj marrëveshjeje, palët zotohen për realizimin e projekteve të përbashkëta në nivel vendi dhe atë ndërkombëtar, duke ndihmuar bizneset lokale që të integrohen më lehtë në tregjet e huaja dhe të përfitojnë nga iniciativat për zhvillim.


Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, u potencua se Komuna e Pejës mbetet e përkushtuar në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe në ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për sektorin privat. Ky bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës shihet si një hap strategjik për të adresuar sfidat e biznesit dhe për të krijuar mundësi të reja punësimi e rritjeje për të gjithë qytetarët e rajonit të Pejës.

Lini një përgjigje