Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i integruar ato në regjimin e BE-së për roaming.
Propozimi përfshin Shqipërinë, Bosnjën dhe Herzegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedonin e veriut dhe Serbinë.
Nëse marrëveshjet përfundohen dhe vendet harmonizojnë plotësisht rregullat me legjislacionin e BE-së për roamingun, qytetarët që udhëtojnë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mund të kryejnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin mobil pa tarifa shtesë roamingu.
Kjo do të mundësojë lidhje të pandërprerë me tarifa vendore si për qytetarët dhe bizneset nga Ballkani Perëndimor që vizitojnë BE-në, ashtu edhe për qytetarët e BE-së që udhëtojnë në rajon për studime, punë apo pushime.
Hapat e ardhshëm
Pas miratimit të mandatit për negociata nga Komisioni, kërkohet autorizimi i Këshillit të BE-së për hapjen zyrtare të negociatave me secilin partner. Më pas do të negociohen marrëveshje dypalëshe me çdo shtet të rajonit. Përfundimi me sukses i tyre do t’i hapë rrugë përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në zonën e roamingut të BE-së.
Konteksti
Propozimi synon të avancojë nismat ekzistuese vullnetare mes operatorëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë kanë sjellë ulje të tarifave roaming. Gjithashtu, qytetarët e rajonit përfitojnë nga marrëveshja rajonale për roaming brenda Ballkanit Perëndimor.
Kjo nismë është pjesë e Planit të Rritjes 2023 për Ballkanin Perëndimor, që synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në Tregun e Përbashkët të BE-së, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset edhe para anëtarësimit të plotë në BE.






