Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se proceset e shpeshta zgjedhore kanë ndikuar në shtyrjen e një raundi të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel liderësh.
Ajo tha se kishte pajtueshmëri nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për takim, porse tash në Kosovë po afron një cikël i ri zgjedhjesh, çka sipas saj, e shtyn procesin.
“Ne në fakt kishim planifikuar dialogun Beograd-Prishtinë në nivel të lartë politik. Kisha marrë pajtimin nga të dy liderët, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, por tani në Kosovë po afrohen sërish zgjedhjet, gjë që natyrisht e shtyn këtë proces”, ka thënë ajo.
Kallas megjithatë ka thënë se po punon me palët lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash nga dialogu.
“Megjithatë, unë po punoj veçmas me të dyja palët, në mënyrë që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”, ka thënë ajo.
E pyetur se çfarë pret nga takimi i sotëm i ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, Kallas ka thënë se do të diskutojnë zgjerimin dhe atë se çfarë mund të bëj në më shumë që të ecin përpara me reformat.
“Po ashtu do të diskutojmë bashkëpunimin lidhur me përballjen ndaj kërcënimeve hibride, të cilat janë të pranishme edhe në Ballkanin Perëndimor. Kemi pasur përvoja dhe praktika të mira nga Moldavia. Tani po punojmë edhe me Armeninë. Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë të njëjtën gjë, pasi edhe ato po i shohin sulmet kundër demokracive të tyre. Po diskutojmë gjithashtu për sigurinë dhe mbrojtjen, veçanërisht për partneritetin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me Malin e Zi, për shembull. Ajo që ne presim prej tyre është gjithashtu harmonizimi me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë, si dhe reformat që duhet t’i zbatojnë”, ka thënë ajo.
Duke folur për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania, ajo tha se dislokimi i trupave ndodh vazhdimisht në Evropë.
Sipas saj, kjo në fakt nuk është diçka e re.
“Mendoj se është e rëndësishme që trupat amerikane të qëndrojnë gjithashtu në Evropë, sepse ato mbrojnë interesat amerikane në Evropë, si dhe interesat evropiane. Ky është njoftimi që ka bërë Pentagoni. Dhe sigurisht, ka ende kohë për të parë se çfarë do të thotë kjo në praktikë”, ka thënë ajo.




