Ish-kryetari i Komisioni i Pavarur i Mediave, Jeton Mehmeti, ka theksuar se transparenca e pronësisë së mediave nuk është vetëm çështje teknike, por element thelbësor që ndikon në cilësinë e demokracisë.
“Nuk është vetëm çështje teknike pronësia apo transparenca e pronësisë së mediave, por realisht ndikon edhe në vetë cilësinë e demokracisë, sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush qëndron mbrapa mediave, kush janë pronarët dhe si financohen”, ka deklaruar Mehmeti.
Ai bëri të ditur se gjatë mandatit të tij në KPM janë evidentuar rreth 35 raste ku pronësia e mediave të licencuara nuk përputhej me të dhënat në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. Sipas tij, kjo ka çuar në ndërmarrjen e masave konkrete, përfshirë hartimin e rregullores për transparencën e pronësisë, ndalimin e koncentrimit medial dhe krijimin e një databaze publike për mediat e licencuara.
Në kontekstin evropian, Mehmeti përmendi kërkesat e European Media Freedom Act, duke theksuar se në të ardhmen pritet të kërkohet deklarimi edhe i “pronarëve përfitues”.
“Bashkimi Evropian i kushton shumë rëndësi jo vetëm pronarëve legjitimë, por edhe pronarëve përfitues, në mënyrë që të dihet rrethi më i gjerë që mund të ketë ndikim në vendimet redaksionale”, tha ai.
Sa i përket stabilitetit financiar, Mehmeti vlerësoi se tregu medial në Kosovë mbetet i fragmentuar dhe me të hyra të kufizuara, veçanërisht për mediat lokale.
“Kemi një situatë jo shumë të mirë të qëndrueshmërisë së mediave në vendin tonë… mediat lokale, sidomos radio dhe televizionet lokale, kanë një buxhet tepër modest”, theksoi ai.
Sipas tij, varësia nga reklamat lokale apo nga burime të kufizuara financimi mund të ndikojë në pavarësinë editoriale, ndërsa konkurrenca me rrjetet sociale ka ngushtuar edhe më shumë tregun tradicional të reklamave.
Një nga propozimet kryesore të tij ishte krijimi i një fondi për pluralizëm medial, ku të hyrat vjetore të inkasuara nga KPM-ja t’u rikthehen mediave përmes projekteve dhe garës së hapur.
Sipas Mehmetit, një mekanizëm i tillë do të mund të mbështeste mediat lokale, ato nacionale dhe mediat e reja, duke forcuar pluralizmin dhe pavarësinë.
Në fund, ai theksoi se një industri mediale e fuqishme dhe e qëndrueshme financiarisht ndikon drejtpërdrejt në nivelin e demokracisë në vend, duke shtuar se mediat duhet të mbeten zë i qytetarëve dhe të ushtrojnë rol mbikëqyrës ndaj institucioneve publike./telegrafi/





