Inxhinierët e caktuar në Komandën Rajonale-Perëndim (RC-W) të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh të zbulimit të rrugëve dhe infrastrukturës në rajonin e Pejës, me qëllim rritjen e sigurisë së qarkullimit.
Gjatë këtyre aktiviteteve, ekipet inxhinierike kanë inspektuar me kujdes infrastrukturën, duke vlerësuar klasifikimin dhe gjendjen e urave si dhe rrjeteve rrugore, me qëllim identifikimin e kufizimeve të mundshme që mund të ndikojnë në lëvizshmëri.
Sipas KFOR, këto veprime ndihmojnë në ruajtjen e vetëdijes dhe dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Misioni i KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe në lirinë e lëvizjes për të gjithë.
Po ashtu, KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX, në rolet e tyre si reagues të sigurisë në vend.







