Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë një aksion të jashtëzakonshëm inspektues në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke u fokusuar në sektorët me rrezikshmëri të lartë në përputhje me mandatin e tij ligjor dhe vendimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Sipas raportit të fundit 48-orësh, që shënon edhe ditën e gjashtë të këtij aksioni, fokusi ka qenë tërësisht te sektori i ndërtimtarisë, ku janë realizuar 100% e inspektimeve të dy ditëve të fundit.
Gjatë kontrolleve në terren, inspektorët kanë marrë masa të rrepta ndaj subjekteve që kanë shkelur rregullat e sigurisë, duke urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në çdo rast ku është konstatuar rrezik për punëtorët. Të gjitha këto subjekte do të procesohen automatikisht në Gjykatat për kundërvajtje, ndërsa numri i ndalimeve të punës nënkupton njëkohësisht edhe numrin e kërkesave për ndjekje ligjore.
Procesi do të vijojë me riinspektime të rrepta në ditët në vijim, ku punimet do të lejohen të rinisin vetëm pasi subjektet të kenë ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e gjendjes së Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (SShP). Inspektorati mbetet i palëkundur në qëllimin e tij për eliminimin e parregullësive, duke siguruar që çdo kantier ndërtimi të përmbushë standardet ligjore para se të vazhdojë aktivitetin.





