Një rast i rëndë familjar është shënuar mesditën e sotme në komunën e Deçanit, ku dyshohet se një person ka sulmuar babanë e tij, duke i shkaktuar lëndime serioze.
Burime të sigurta bëjnë të ditur se viktima fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, ndërsa më pas është dërguar për trajtim të mëtejmë në Pejë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, i cili ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për ta siguruar atë dhe për të ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.
Sipas tij, në vendin ku po trajtohej viktima ka dalë edhe prokurorja e shtetit, e cila është informuar lidhur me rrethanat e rastit dhe shkallën e lëndimeve. Me urdhër të saj, rasti është deleguar për trajtim të mëtejmë në sektorin rajonal të hetimeve për krime serioze.
Aktualisht, autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër për të sqaruar plotësisht motivin dhe rrethanat e këtij incidenti.




