Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me kërkesën e Prokurorisë për dënimin me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haxhiu e ka cilësuar këtë si një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës.
Në postimin e saj në Facebook, Haxhiu ka shkruar se:
“Kërkesa e Prokurorisë për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës. Kjo nuk ka të bëjë me përpjekje për drejtësi. Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare.”
Ajo ka theksuar se Serbia ka kryer krime lufte të dokumentuara, duke përfshirë vrasje, masakrime, përdhunime seksuale si armë lufte dhe dëbime masive të popullsisë, të cilat janë të regjistruara dhe dëshmuara ndërkombëtarisht. Megjithatë, sipas Haxhiut, kriminelët serbë nuk janë përballur me drejtësinë në mënyrë serioze dhe janë privilegjuar ose amnistuar.
“UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb. Ky është shtrembërim i historisë. Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin,” ka shkruar Haxhiu./rtk/




