Harry Bajraktari ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke i kërkuar që Shtetet e Bashkuara të rishqyrtojnë mbështetjen e tyre për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Përmes një postimi, Bajraktari tha se letra është dërguar pas nismës së Rubios për të kundërshtuar gjykatat ndërkombëtare që, sipas tij, tejkalojnë mandatin e tyre, bëhen të politizuara dhe cenojnë sovranitetin e shteteve.
Ai theksoi se përvoja e Kosovës me Gjykatën Speciale duhet të jetë pjesë e kësaj nisme.
“Përvoja e Kosovës me Gjykatën Speciale duhet të përfshihet në këtë nismë. Drejtësia kurrë nuk duhet të jetë selektive, politike apo mekanizëm për ta rishkruar historinë”, ka shkruar Bajraktari.
Në letrën drejtuar shefit të diplomacisë amerikane, ai argumenton se mbështetja e SHBA-së për Dhomat e Specializuara duhet të rishqyrtohet në dritën e shqetësimeve për funksionimin dhe mandatin e kësaj gjykate.
Në fund të reagimit të tij, Bajraktari ka shprehur mbështetjen për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar.”




