Ballina > Aktualitet > Haradinaj reagon ndaj vendimit për Rugovën: Absurd, nuk mbrohet natyra duke dënuar banorët

Haradinaj reagon ndaj vendimit për Rugovën: Absurd, nuk mbrohet natyra duke dënuar banorët

22 May 2026 Aktualitet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka dalë në mbështetje të plotë të banorëve të trevës së Rugovës, duke e cilësuar “absurd” vendimin që ndalon transportin e materialit ndërtimor në zonën e Bjeshkëve të Nemuna.

Përmes një reagimi publik, Haradinaj ka theksuar se kërkesat e banorëve të kësaj zone janë legjitime dhe se mbrojtja e mjedisit nuk mund të bëhet në kurriz të komunitetit që jeton aty prej brezash. Ai shtoi se ky vendim u pamundëson familjeve rugovase ndërtimin e shtëpive, zhvillimin e bizneseve familjare dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Kreu i AAK-së ka vënë në dukje se institucionet duhet ta shohin këtë trevë si një zonë të gjallë dhe me potencial, e jo si një hapësirë të thjeshtë gjeografike pa njerëz. Sipas tij, Rugova nuk është një zonë e zbrazët në hartë, por një trevë e gjallë me 13 fshatra dhe me familje punëtore që përballen çdo ditë me sfidat e mungesës së infrastrukturës.

Në mbyllje të reagimit të tij, Haradinaj potencoi se banorët e këtyre fshatrave kërkojnë vetëm mundësinë e drejtë për të zhvilluar pronën dhe jetën e tyre, duke bërë thirrje indirekte për rishikimin e këtij vendimi bllokues.

Lini një përgjigje