Ballina > Aktualitet > Hap i rëndësishëm drejt inovacionit: MINTI dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruajnë memorandum 5-vjeçar për zhvillim ekonomik

Hap i rëndësishëm drejt inovacionit: MINTI dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruajnë memorandum 5-vjeçar për zhvillim ekonomik

05 Jun 2026 Aktualitet

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë zyrtarizuar sot një partneritet strategjik pesëvjeçar, i cili synon të sjellë një frymë të re në fushat e inovacionit, arsimit dhe zhvillimit ekonomik në vend. Ky memorandum bashkëpunimi është vlerësuar si një hap konkret drejt ndërtimit të një ure të qëndrueshme mes botës akademike dhe industrisë private.

Dokumenti u nënshkrua nga ministrja e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, dhe Rektori i UP-së, Prof. Arben Hajrullahu. Gjatë ceremonisë u vu reksioni tek rëndësia e vendosjes së dijes dhe hulumtimit shkencor drejtpërdrejt në funksion të zhvillimit ekonomik, duke e parë kapitalin njerëzor si burimin kryesor dhe më të rëndësishëm që ka Kosova për të ndërtuar një ekonomi moderne dhe konkurruese.

Përmes këtij projekti pesëvjeçar, palët synojnë të avancojnë proceset e transformimit digjital, inovacionit dhe industrisë së gjelbër. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbështetjes së bizneseve të reja (start-up) dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme, si dhe krijimit të hapësirave të reja për praktika profesionale për studentët e Universitetit të Prishtinës, duke i përgatitur ata më mirë për tregun e punës.

Përveç përfitimeve për studentët dhe bizneset, ky memorandum parashikon edhe angazhimin direkt të ekspertizës akademike në vendimmarrje. Profesorët dhe hulumtuesit e UP-së do të përfshihen aktivisht në hartimin e politikave publike që lidhen me investimet e huaja, tregtinë dhe mbrojtjen e konsumatorit, duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në përgatitjen e Kosovës për integrim më të shpejtë në tregjet evropiane.

Lini një përgjigje