Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj xhudistit të njohur kosovar, Akil Gjakova, i cili ishte i akuzuar për veprën penale “Dhuna në familje”.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, trupi gjykues ka vendosur ta lirojë nga aktakuza të pandehurin A.Gj., duke konstatuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për shpalljen e fajësisë.
Në vendim thuhet se shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të Gjykatës Themelore në Pejë, ndërsa e dëmtuara S.M. është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në procedurë kontestimore civile. Palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit të shkruar.
Ky aktgjykim vjen pas një periudhe të gjatë raportimesh mediatike, gjatë së cilës emri i Akil Gjakovës u përmend gjerësisht në opinionin publik. Megjithatë, vendimi përfundimtar i Gjykatës dëshmon se xhudisti ka dalë i pafajshëm, duke riafirmuar parimin themelor të drejtësisë: se askush nuk mund të shpallet fajtor pa vendim të formës së prerë nga organet kompetente.
Rasti i Akil Gjakovës rikthen vëmendjen mbi rëndësinë e përgjegjësisë në raportim dhe nevojën që drejtësia të flasë e para dhe e fundit, përtej perceptimeve apo paragjykimeve publike. Për sportistin, ky vendim përbën një mbyllje ligjore të një procesi që kishte ngjallur interes të madh, duke i hapur rrugë vazhdimit të fokusit te karriera dhe kontributi i tij sportiv për Kosovën.




