Një ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike është shënuar për futbollin e Kosovës, e në veçanti për qytetin e Pejës. Kapiteni i deritashëm i gjeneratës U17 të KF Pejës, Lisian Thaçi, ka bërë hapin gjigant në karrierë duke u transferuar zyrtarisht te klubi më i madh gjerman, FC Bayern Munich.
Mesfushori pejan do t’i bashkohet zyrtarisht FC Bayern Global Academy, një program elitar i klubit bavarez që është i dizajnuar ekskluzivisht për zhvillimin dhe përgatitjen e futbollistëve me potencial të jashtëzakonshëm nga mbarë bota.
Marrëveshja e madhe që dërgon talentin kosovar në një nga superfuqitë e futbollit botëror është finalizuar me sukses nga kompania Spark Soccer Agency, përmes agjentëve të licencuar të FIFA-s, Lulzim Murtezaj dhe Adonis Arifi, të cilët kanë udhëhequr me profesionalizëm të gjithë procesin e negociatave.
Ky transferim është një certifikatë ekselence për shkollën e futbollit të KF Pejës. Lisian Thaçi nuk është thjesht një talent i radhës; ai është produkt i pastër i kësaj shkolle, ku u rrit, u edukua dhe u zhvillua profesionalisht hap pas hapi.
Puna serioze e trajnerëve të KF Pejës dhe disiplina e treguar brenda klubit kanë qenë vendimtare në formësimin e tij si një mesfushor modern. Roli i tij si lider dhe kapiten i gjeneratës U17 te KF Peja dëshmon jo vetëm cilësitë e tij teknike, por edhe pjekurinë dhe mentalitetin e lartë që e karakterizojnë në fushë.
Rritja profesionale e Lisianit ra në sytë e skautëve ndërkombëtarë vitin e kaluar, kur ai u përzgjodh për të qenë pjesë e projektit prestigjioz Bayern World Squad 2025.
Gjatë kësaj eksperience, mesfushori kosovar la përshtypje të jashtëzakonshme te drejtuesit e Bayernit. Inteligjenca e tij taktike, kontrolli i lojës dhe mentaliteti fitues – të gjitha të kultivuara në fushat e KF Pejës – bënë që gjiganti gjerman ta mbante nën vëzhgim të vazhdueshëm dhe të merrte vendimin përfundimtar për t’i ofruar një kontratë afatgjatë zhvillimore.
Ky kalim përbën një moment historik, pasi për herë të parë një futbollist nga Kosova bëhet pjesë e një programi kaq elitar dhe afatgjatë të FC Bayern Munich.
Kalimi i tij në Gjermani dërgon një mesazh të fuqishëm për të gjithë futbollin kosovar dhe shërben si frymëzim për të gjithë fëmijët që ëndërrojnë majat e këtij sporti. Ky transferim vërteton se për talentet tona nuk ka limite dhe se kur puna e palodhshme e akademive vendore, si ajo e KF Pejës, gërshtohet me përkushtimin dhe cilësinë e lojtarit, destinacioni i radhës mund të jetë direkt elita e futbollit botëror.






