Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses trajnimin e specializuar për snajper, një proces që synon ngritjen e aftësive profesionale dhe rritjen e gatishmërisë operacionale të pjesëtarëve të saj.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar këtë arritje si dëshmi të përkushtimit të vazhdueshëm për ndërtimin e një force moderne dhe profesionale, e aftë të përmbushë detyrat kushtetuese dhe operacionale.
Sipas tij, përmes trajnimeve të avancuara, ushtarakët e FSK-së po zhvillojnë aftësi të specializuara dhe po certifikohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, duke rritur më tej kapacitetet e forcës në tërësi.
Maqedonci ka theksuar gjithashtu se investimet në personel dhe në ngritjen profesionale të ushtarakëve do të vazhdojnë, me qëllim transformimin e FSK-së në një forcë moderne, të besueshme dhe plotësisht të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve aleate.





