Amerikanët po vazhdojnë të shkruajnë me superlativa për yllin e përfaqësueses së Bosnjë-Hercegovinës, Esmir Bajraktareviç, duke e cilësuar atë si heroin që eliminoi një fuqi historike si Italia. Mediat e huaja, përfshirë Fox, raportojnë se përpara se të bëhej legjendë e vendit të tij, ai ishte thjesht një djalosh nga një qytet i vogël i SHBA-së, i cili u rrit me tregimet e prindërve të tij që ikën nga lufta për të ndërtuar një jetë të re në Wisconsin.
I mbiquajtur “Milwaukee Messi”, 21-vjeçari Bajraktareviç u bë protagonist i padiskutueshëm në mars, kur me një penallti vendimtare mposhti Gianluigi Donnarumman në Zenicë, duke siguruar kualifikimin historik të Bosnjës në Botëror dhe duke lënë Italinë jashtë këtij kompeticioni për herë të tretë radhazi. Ky moment ishte realizimi i një ëndrre që ai dhe vëllai i tij, Osmani, e kishin ushqyer që fëmijë duke ushtruar në oborrin e shtëpisë, duke imagjinuar veten duke shënuar përballë legjendave si Manuel Neuer.
Pavarësisht se u rrit në Amerikë, Esmiri qëndroi i lidhur fort me rrënjët e tij, duke folur gjuhën boshnjake, duke dëgjuar muzikën e vendit të origjinës dhe duke u rritur me ushqimet tradicionale si byreku e qebapët. Kjo lidhje shpirtërore e shtyu atë të merrte vendimin e vështirë për të ndryshuar shtetësinë sportive, edhe pse SHBA-ja tentoi ta mbante në gjirin e saj pas debutimit në vitin 2024. Për të, thirrja e atdheut ishte më e fortë se çdo gjë tjetër dhe mundësia për të luajtur përkrah idolit të tij, Edin Džeko, ishte një nder që nuk mund ta refuzonte.
Karriera e tij mori një hov të jashtëzakonshëm që nga ditët e para te New England Revolution në MLS, ku talenti i tij teknik u vërejt menjëherë nga trajnerë si Bruce Arena. Që nga janari i vitit 2025, Bajraktareviç është pjesë e gjigantit holandez PSV, me të cilin ka fituar tashmë dy tituj kampion. Tani, ai kthehet në SHBA si një yll ndërkombëtar për të luajtur në Kampionatin Botëror para familjes dhe miqve të tij, por këtë herë duke mbajtur me krenari fanellën e Bosnjë-Hercegovinës.




