Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe GIZ, në emër të Qeverisë Gjermane dhe Qeverisë Daneze, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Grantit për projektin “Fuqizimi i mekanizmave të financimit të FKEE-së për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme”, me vlerë totale prej 1.5 milionë eurosh.
Marrëveshja synon të mbështesë zhvillimin dhe pilotimin e mekanizmave të rinj për financimin e masave të efiçiencës së energjisë dhe instalimin e sistemeve të energjisë së ripërtëritshme për vetëkonsum në ndërtesat shumëbanesore. Po ashtu, projekti do të mundësojë integrimin e këtyre sistemeve në ndërtesat publike dhe do të forcojë kapacitetet institucionale të FKEE-së për zbatimin e skemave të reja të financimit.
Në kuadër të projektit do të realizohen investime pilot në ndërtesa të përzgjedhura shumëbanesore dhe publike, me qëllim përmirësimin e performancës energjetike të objekteve dhe rritjen e përdorimit të energjisë së ripërtëritshme për vetëkonsum, përcjell Energy Monitor.
Projekti do të mbështesë gjithashtu zhvillimin e modeleve të reja të bashkëfinancimit, të cilat kombinojnë grantet, kontributin e përfituesve dhe mekanizmat ekzistues të financimit të FKEE-së. Kjo pritet të krijojë bazë për zgjerimin e mëtejmë të investimeve në sektorin rezidencial dhe atë publik.
Kosova vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme në sektorin e energjisë, përfshirë varësinë e lartë nga prodhimi i energjisë nga thëngjilli dhe performancën e ulët energjetike të stokut ekzistues të ndërtesave. Përmes këtij projekti pritet të ulet konsumi i energjisë, të reduktohen emetimet e dioksidit të karbonit (CO₂), të përmirësohen kushtet e jetesës për qytetarët dhe të mbështeten objektivat e Kosovës për tranzicion energjetik dhe dekarbonizim, njofton Energy Monitor.




