Ballina > Aktualitet > Fitore Pacolli përfaqëson Kosovën në forumin e OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm

Fitore Pacolli përfaqëson Kosovën në forumin e OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm

13 Jul 2026 Aktualitet

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nisur pjesëmarrjen në Forumin Politik të Nivelit të Lartë për Zhvillim të Qëndrueshëm (HLPF 2026), i cili po mbahet në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York.

Pacolli bëri të ditur se, me ftesë të ambasadorit Dr. Nabhit Kapur, do të jetë folëse në panelin e iniciativës globale WATERHer, ku do të trajtohen tema që lidhen me ujin e pastër, rolin udhëheqës të grave dhe përballjen me sfidat klimatike.

Ajo theksoi se gjatë forumit do të prezantojë edhe punën dhe hapat që ka ndërmarrë Kosova në rritjen e kapaciteteve për furnizim me ujë, si dhe investimet në trajtimin e ujërave të zeza.

Sipas Pacollit, pjesëmarrja në këtë forum do të shërbejë gjithashtu për zhvillimin e takimeve me përfaqësues ndërkombëtarë, me synim hapjen e mundësive të reja të bashkëpunimit për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Kemi nisur një javë shumë të rëndësishme në Forumin Politik të Nivelit të Lartë për Zhvillim të Qëndrueshëm në OKB. Ndihem e nderuar që, me ftesë të Ambasadorit Dr. Nabhit Kapur, do të jem folëse në panelin e iniciativës globale WATERHer. Gjatë këtyre ditëve do të prezantoj punën dhe hapat e Kosovës në rritjen e kapaciteteve për ujë dhe investimet në trajtimin e ujërave të zeza, si dhe do të zhvillojmë takime të rëndësishme për të hapur rrugë të reja bashkëpunimi për shtetin tonë,” ka shkruar Pacolli.

Lini një përgjigje