Ballina > Sport > FIFA Academy në Pejë – Talentët e rinj drejt së ardhmes së futbollit kosovar

FIFA Academy në Pejë – Talentët e rinj drejt së ardhmes së futbollit kosovar

15 Feb 2026 Sport

Programi Talent Coach i FIFA Academy po vazhdon me sukses në Kosovë, duke u shndërruar në një platformë të rëndësishme për identifikimin dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj me potencial. Pas ndalesave të mëparshme në Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë, këtë herë radha ishte në Pejë.

Në këtë aktivitet morën pjesë 20 shkolla futbolli nga regjioni i Pejës, ku u zhvillua seleksionimi i futbollistëve të vitlindjes 2013. Procesi u karakterizua nga interesim i madh, organizim profesional dhe vëzhgim i detajuar i lojtarëve të rinj në aspektin teknik, fizik dhe disiplinor.

Ky program synon të krijojë një bazë të qëndrueshme të talenteve në çdo rajon të vendit. Futbollistët janë përzgjidhur fillimisht nga klubet dhe shkollat e futbollit, për të kaluar më pas në këtë fazë të avancuar seleksionimi nga përfaqësuesit e FIFA Academy, të cilët ndjekin nga afër zhvillimin dhe potencialin e secilit lojtar.

Iniciativa është pjesë e vizionit afatgjatë të Federatës së Futbollit të Kosovës për ngritjen e cilësisë së futbollit vendor, duke investuar në gjeneratat e reja dhe duke krijuar themele të forta për të ardhmen e futbollit kosovar.

Lini një përgjigje